Peleshi në Berat: Do investojmë për parandalimin e përmbytjeve
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi ka kryer një inspektim në Qarkun e Beratit, në lidhje me situatën e krijuar, si pasojë e reshjeve që përfshinë Shqipërinë dhe rajonin ditët e fundit.
Ministri është ndalur veçanërisht në zonat pranë lumenjve, duke inspektuar gjendjen skemave të kullimit. Peleshi tha se duhet të merremi me shkakun dhe të investojmë për parandalimin e përmbytjeve.
“Tani duhet të merremi me shkakun. Kështu, që të nxjerrim mësimet, leksionet që marrim nga kjo përmbytje, ku i kemi pikat e dobëta, pikat e nxehta për ndërhyrje. Këtë rol duhet ta marrë prefekti, rolin e koordimit të gjithë institucioneve, natyrisht dhe ministria jonë, Ministria e Bujqësisë, për t’i studiuar dhe për t’i kthyer në projekte, të gjitha nevojat për ndërhyrje. Sepse, koha na ka treguar, që vërtet ne ankohemi për fonde, por koha ka treguar, kur ke projektet, fondet gjenden. Në mos nga buxheti i shtetit, kemi shumë donatorë që na kanë mbështetur, siç është dhe Delegacioni Evropian, edhe këtu ka investime nëpërmes PNUD-it, Bankës Botërore. Pra, të gjejmë burime financiare për të vazhduar me atë rrugë që kemi filluar, investime në parandalim. Natyrisht, edhe të dëmtuarve ne do t’u gjendemi pranë, por nuk jemi aq të pasur, sa që të mos merremi fare me shkaqet, por sa e kanë pasojat, t’i paguajmë te gjitha pasojat një për një. Kjo është e pamundur. Ndaj do bëjmë atë që është më ekonomike dhe më logjike”.
Ministri tha që falë investimeve të kryera dy-tre vitet e fundit, disa zona kanë shpëtuar ndaj dëmtimet.
“Çdo fatkeqësi na jep edhe mësimet e veta. Ne kemi dy-tre vjet, që jemi fokusuar në investimet për parandalimin e përmbytjeve. Dhe duhet ta them, tani nuk është momenti për të mburrur punën e bërë, se jemi akoma të…, s’kemi dalë 100% nga emergjenca, por duhet thënë që investimet në kullim, në parandalim e përmbytjeve, investimet që bënë bashkitë të mbështetura me ekskavatorë, por edhe me mjete financiare, dhe mbi të gjitha me decentralizimin e këtij funksioni tek bashkitë, provuan që të jenë të vlefshme, të dobishme. Tek Ura Vajgurore një investim, në mos gabohen prej 1.5 milion dollarë, mbrojti një sipërfaqe shumë të madhe serash. Tani ishim atje. Kemi shmangur një dëm, që mund të ishte më i madh, sesa mund të ishte investimi që bëmë. E keqja, është që ne, historikisht jemi marrë me pasojat dhe nuk jemi marrë me shkakun”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.