Pendarovski kundër zgjerimit të Shqipërisë, Serbisë dhe Kroacisë – Ndryshimi i kufinjve do të çonte në një ‘banjë gjaku’

Komentet e Stevo Pendarovskit vijnë pas raporteve të një memoje të rrjedhur që mbron rivendosjen e kufijve të vendeve të formuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Dokumenti i nënshkruar, propozon zgjerimin e Serbisë, Kroacisë dhe Shqipërisë në dëm të Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
“Ju nuk mund të ndryshoni kufijtë në Ballkan dhe të mos keni në të njëjtën ditë një banjë gjaku,” tha Pendarovski. Pendarovski tha se kurrë nuk do të pranonte ndryshimet e kufijve në Maqedoninë e Veriut, duke argumentuar se kostoja njerëzore që sjellin këto transformime është shumë e rëndë për t’u përballuar.
Ndërsa ekzistenca e këtij dokumenti nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, ajo megjithatë ka shkaktuar zemërim dhe tronditje në të gjithë Ballkanin, ku tema e kufijve mbetet një çështje mjaft e diskutueshme dhe përçarëse. Disa vende dhe anëtarë të Parlamentit Evropian e kanë dënuar me forcë memorandumin, por institucionet e BE janë përmbajtur nga dhënia e një reagimi zyrtar.
Pendarovski nuk e fshehu pakënaqësinë e tij lidhur me ofertën e pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
Vendi aplikoi për anëtarësim në 2004 dhe ka zbatuar reformat, duke përfshirë ndryshimin e emrit të tij, për të hyrë në negociata të pranimit. Procesi aktualisht është bllokuar nga Bullgaria për një mosmarrëveshje që përfshin historinë dhe gjuhën. Ndër kërkesat e tjera, Bullgaria dëshiron që Maqedonia e Veriut të njohë zyrtarisht se gjuha e saj ka rrënjë Bullgare.
Presidenti paralajmëroi se nëse procesi i pranimit nuk shkon përpara, Ballkani do të shohë një rritje të populizmit dhe nacionalizmit dhe do të pësojë dëme ekonomike. (Euronews)
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.