Pensionet private, 23.500 kontribues – kryeson Credins Pension
Numri i kontribuesve në fondet private të pensioneve u rrit sërish në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, numri i anëtarëve në fund të muajit qershor arriti në rreth 23,500.
Që nga fillimi i vitit, numri i kontribuesve është shtuar me rreth 2500 individë ose 12.2%. Rritja e numrit të anëtarëve po udhëhiqet kryesisht nga fondi Credins Pensions, që po promovon rëndësinë e investimit në një pension privat edhe përmes rrjetit të kompanisë mëmë, Credins Bank. Credins Pensions ka arritur në afro 14 mijë kontribues dhe mban mbi 59% të tregut, sipas numrit të anëtarëve.
Shtimi i anëtarëve në skemat private të pensioneve është nxitur edhe nga cikli i normave të ulëta interesit në ekonomi. Duke qenë se depozitat bankare ofrojnë kthime të ulëta, shumë individë kanë vlerësuar si një alternativë interesante investimin e kursimeve në një pension privat.
Rritja e kontribuesve në fondet e pensioneve private është e rëndësishme në afatin e gjatë, për të ulur presionin mbi skemën publike të pensioneve dhe varësinë ndaj saj në të ardhmen.
Investimi në një pension privat nxitet edhe me disa stimuj fiskalë, duke ofruar një zbritje të pjesshme nga taksat. Sipas ligjit, këto kontribute përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në masën e 15% të të ardhurave vjetore bruto, por jo më shumë se 200 mijë lekë në vit.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare prej vitesh po kërkon nga qeveria rritjen e incentivave fiskale, me qëllim zgjerimin e këtyre skemave në më shumë kontribues. Në volume, tregu ende ngelet në përmasa modeste, por me rritje të qëndrueshme nga viti në vit. Totali i aktiveve të fondeve të pensioneve në mesin e këtij viti arriti në mbi dy miliardë lekë, me një rritje me më shumë se 16% që nga fundi i vitit 2017. Për nga totali i aktiveve, kompania më e madhe është Sigal Pensions, me afro 49% të tregut.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.