Pensionet private – Afro 21 mijë kontribues, kryeson Credins Pensions
Megjithëse volumi i tregut të pensioneve private ngelet modest, numri i kontribuesve në këto fonde ka arritur shifra të konsiderueshme. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, numri i anëtarëve në fund të vitit 2017 arriti në afro 21 mijë. Që nga fillimi i vitit, numri i kontribuesve është shtuar me rreth 3600 individë ose 21%.
Rritja e numrit të anëtarëve po udhëhiqet sidomos nga fondi Credins Pensions, që po ndjek një strategji mjaft aktive të promovimit të përfitimeve nga fondet private të pensioneve, edhe përmes rrjetit të kompanisë mëmë, Credins Bank. Credins Pensions ka arritur në mbi 12 mijë kontribues dhe mban rreth 58% të tregut, sipas numrit të anëtarëve.
Në vlerë, tregu ende ngelet në përmasa modeste, por me rritje të qëndrueshme nga viti në vit. Totali i aktiveve të fondeve të pensioneve në fund të muajit shtator arriti në 1.7 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 31%. Kontributet në fondet e pensioneve private investohen pothuajse tërësisht në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare, me një rrezik investimi 0. Për nga totali i aktiveve, kompania më e madhe është Sigal Pensions, me afro 51% të tregut.
Mjedisi me norma të ulëta interesi është një faktor që ka nxitur rritjen e këtyre fondeve. Shumë individë kanë vlerësuar si një alternativë interesante investimin e kursimeve në një pension privat. Për të investuar në një pension privat, ligjërisht, ka edhe disa incentiva fiskale, megjithëse përfitimi në praktikë i tyre shpeshherë është i vështirë. Sipas ligjit, këto kontribute përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në masën e 15% të të ardhurave vjetore bruto, por jo më shumë se 200 mijë lekë në vit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.