Pensionet private – Numri i kontribuesve kalon shifrën 26 mijë
Tregu i pensioneve private ruajti një tendencë pozitive edhe në tremujorin e parë të këtij viti, duke u zgjeruar si në numrin e kontribuuesve, ashtu edhe në vlerën totale të aktiveve.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, numri i kontribuuesve në fondet private të pensioneve arriti në mbi 26 mijë, 3.3% më shumë krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Vlera e aktiveve neto të fondeve të pensioneve arriti në rreth 2.4 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 6% në tre muajt e parë të vitit. Megjithëse në volume përmasat ende ngelen modeste, tregu i pensioneve private po ndjek një cikël pozitiv rritjeje gjatë viteve të fundit. Tregu vazhdon të mbështetet sidomos te skemat e ngritura nga ndërmarrjet për punonjësit e tyre, por, ndërkohë në rritje është edhe numri i individëve që investojnë me iniciativën e tyre për një pension privat.
Fondet e pensioneve ofrojnë kthime nga investimi mjaft të kënaqshme, në raport me depozitat bankare apo me titujt afatshkurtër të qeverisë. Kthimi i deklaruar nga fondi Credins Pension për 12 muajt e fundit është 5.68%, ndërsa ai i Raiffeisen Pension është 5.65%. Fondi i tretë, Sigal Pension, për momentin nuk publikon informacion periodik për kthimin nga investimi.
Në numër anëtarësh, tregu dominohet nga Credins Pension, që mban rreth 61% të kontribuuesve totalë. Fondi i administruar nga shoqëria Credins Invest ka arritur pothuajse në 16 mijë anëtarë. Në vlerë aktivesh, fondi më i madh është Sigal Pension, që zotëron rreth 46% të tregut.
Zgjerimi i skemave private të pensioneve do të kishte një ndikim shumë të rëndësishëm social dhe ekonomik në afatin e gjatë, duke shtuar të ardhurat e pensionistëve dhe duke ulur varësinë e tyre nga pensioni shtetëror. Sipas ligjit, kontributet për pension privat përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në masën e 15% të të ardhurave vjetore bruto, por jo më shumë se 200 mijë lekë në vit. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka propozuar një projektligj të ri, ku shuma vjetore e kontributit të përjashtuar nga tatimet të rritet në 240 mijë lekë.
AMF propozon, gjithashtu, që në momentin e përfitimit të pensionit privat, ai të mos tatohet i plotë, por vetëm për vlerën e kthimit nga investimi. Por, edhe ky projektligj, ashtu si ai për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transporteve, vazhdon të dergjet në sirtarët e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.