Peqini ndriçohet me LED – Shpallet tenderi, fondi 21.5 milionë lekë
Bashkia Peqin ka shpallur një tender me fond 21.5 milionë lekë për rikonstruksionin e rrjetit të ndriçimit në qytetin e Peqinit.
“Rrugët hyrëse dhe në qendër të qytetit janë të pajisura me ndriçim pjesërisht, i cili është i amortizuar si dhe hapësirat e argëtimit dhe pushimit si lulishte janë të pa ndriçuara, gjë që bëjnë që ato mos të jenë funksionale në orët e vona të pasditeve” specifikohet në detajet e tenderit.
Projekti konsiston në ndërhyrje në sistemin e ndriçimit të rrugëve automobilistike, si dhe ato të lulishteve.
“Rrjeti i ndriçimit rrugor do të përbëhet nga shtyllat elektrike në njërin krahë të rrugës me lartësi 6m + ndriçuesit LED dhe rrjeti kabllor. Gjithashtu, në të tërë rrugët e bllokut do të ndërtohet sistemi i ndriçimit rrugor” shpjegohet më tej në detajet teknike të tenderit.
Për të gjithë aplikantët e interesuar, tenderi i shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik do të qëndrojë i hapur deri në 27 prill, ora 08:00.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.