Përballimi i COVID-19 në vjeshtë-dimër – Manastirliu: Shtohen infermierët te infektivi, po trajnojmë stafet për hapjen e spitaleve të rinj
Një ekip prej 48 infermierësh i është shtuar spitalit infektiv, ku prej më shumë se 5 muajsh po trajtohen të prekurit me COVID-19. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri më tani janë 150 punonjës që i janë shtuar sistemit shëndetësor gjatë periudhës së epidemisë në vend. Ndërkohë që ministrja Ogerta Manastirliu është shprehur se forcimi i kapaciteteve të burimeve njërëzore është një parapërgatitje për periudhën vjeshtë-dimër, ku mund të nevojitet që strukturat e reja spitalore, tashmë të bëra gati, të hapen për të përballuar fluksin.
“Tashmë sistemit shëndetësor po i shtohet një armatë e re infermierësh, për të mbështetur ekipet tona shëndetësore. Gjatë kësaj periudhe, kemi rreth 150 punonjës që i janë shtuar sistemit shëndetësor, qoftë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe gjithashtu ekipeve të monitorimit, kontrollit dhe inspektimit në terren”.
Duke folur për përballimin e situatës në vjeshtë-dimër, Manastirliu tha se po bëhet gati hapja e strukturave të tjera spitalore, në rast të rritjes së fluksit.
“Jam e kënaqur që kemi mundësinë që jo vetëm të punojmë së bashku me ekipin e ri, por edhe të kemi mundësinë që në një kohë si kjo e sotmja të trajnojmë ekipe të infermierëve, të cilët më pas do të jenë të gatshëm edhe për të përballuar situatën në vjeshtë-dimër, kur mund të kemi dhe hapje të strukturave të tjera spitalore dhe sigurisht t’i paraprijmë me ndërtimin dhe formimin e ekipeve tona të infermierëve dhe paralelisht edhe të mjekëve”.
Aktualisht, shërbimi shëndetësor për të prekurit nga COVID-19 jepet në 2 spital, ndërkohë që sipas autoriteteve edhe 2 spitale të tjerë janë gati, në rast të rritjes së pacientëve që kanë nevojë për trajtim mjekësor.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.