Përdorim i ulët i internetit – Kuvendi: AKEP të nxisë përdorimin e “fiksit”, e ka vetëm 30% e familjeve
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare duhet të nxitë depërtimin e internetit përmes rrjetit fiks si dhe të zvogëlojë hendekun e madh që ekziston midis zonave urbane dhe rurale për sa i takon lidhjes në internet. Kërkesa vjen nga Kuvendi, i cili ka hartuar rezolutën për këtë institucion për vitin 2018. Ajo vjen pas progresraportit të Komisionit Europian i cili theksonte se aktualisht në Shqipëri depërtimi i internetit përmes rrjetit fiks është i ulët, pasi vetëm rreth 30% e familjeve janë të lidhura.
Po ashtu, theksohej se ekziston një hendek i madh midis zonave urbane dhe rurale. “Zonat rurale përfaqësojnë 40% të popullsisë, por vetëm 1% është e lidhur me internetin, ndërkohë që penetrimi mobile i internetit është rreth 80%”, thuhej në raportin e KE-së. Ndërkaq, paralelisht me këtë kërkesë, Kuvendi kërkon nga AKEP të ndjekë zbatueshmërinë e rregullores së re për portabilitetin e numrit dhe veçanërisht respektimit të përdorimit të numrit personal të identifikimit si kriteri kryesor për identifikimin e pajtimtarit.
Në këtë kuadër kërkohet dhe heqja e kriterit të refuzimit për shkak të mospërputhjes së emrit apo mbiemrit të pajtimtarit si dhe respektimin e kohës së aktivizimit të numrit të portuar, e cila nuk duhet të jetë më e gjatë se një ditë pune nga koha e kërkesës për portim. Paralelisht, në kushtet e daljes së operatorit PLUS nga tregu, AKEP duhet të bëjë një vlerësim të situatës së re në tregun celular, duke i kushtuar vëmendje të veçantë marrjes së masave rregullatore që stimulojnë një konkurrencë efektive dhe përfitime të qëndrueshme të përdoruesve në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, përmes një konkurrence të drejtë në treg midis operatorëve ekzistues celularë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.