Përdornin skemën e donacioneve për të përfituar para – Arrestohen 6 shtetas për mashtrim dhe falsifikim kompjuterik
Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare Policia e Shtetit ka bërë me dije se ka finalizuar operacionin policor të koduar “Kameleonët” i cili goditet një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kibernetike.
Në kuadër të një procedimi penal në ndjekje, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, kanë kryer hetime gjithëpërfshirëse në lidhje me verifikimin dhe ndjekjen penale të disa shtetasve, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Pas kryerjes së hetimeve, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, ka ekzekutuar urdhrat e ndalimit ndaj shtetasve:
L., 23 vjeç, D. D., 29 vjeç, G. R., 41 vjeç, E. M., 37 vjeç, të katërt banues në Pogradec, K. H., 27 vjeç dhe L. K., 39 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi K. C., 23 vjeç, banues në Pogradec.
Materiali hetimor i ndjekur nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit kompjuterik për përfitimin e shumave të ndryshme monetare nga të gjithë shtetasit shqiptarë ose jo, të cilët kanë qenë të interesuar për të ndihmuar të mitur me probleme shëndetësore.
Për këtë arsye, këta persona vendosnin në dispozicion të shtetasve të interesuar, llogari bankare apo të dhëna shtetasish të cilët do të ishin përfitues të donacioneve, duke i tërhequr ato në institucione të ndryshme financiare. Tërheqja bëhej nëpërmjet profileve të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, por dhe dhënies së të dhënave të rreme për dërgimin e donacioneve, me qëllim që të mos gjendeshin në rast se organet ligjzbatuese do të viheshin në dijeni të këtij aktiviteti kriminal.
Këta shtetas, për një periudhë rreth 6-mujore, kanë arritur të marrin qindra transaksione financiare nga shtetas shqiptarë ose jo, të cilët janë me banim në territorin e Shqipërisë, por dhe jashtë saj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan aparate celular, dokumente tërheqjesh monetare, një sasi lënde narkotike e dyshuar si kokainë etj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.