Perëndimi bombardon Sirinë – Në shënjestër regjimi i Assad, Moska flet për pasoja
Forcat amerikane, britanike dhe franceze kanë sulmuar me avionë ushtarakë gjatë orëve të para të mëngjesit të së Shtunës disa pika të konsideruara të rëndësishme për regjimin e Bashar al Assad në Siri, sidomos sa i përket prodhimit të armëve kimike.
Sulmi ka qenë i mirëkoordinuar dhe ka zgjatur jo më shumë se 1 orë. Për momentin, sulmi do të ndalet me kaq. Kjo është ndërhyrja më e madhe në konfliktin sirian prej forcave perëndimore. Presidenti amerikan Donald Trump e njoftoi personalisht ndërhyrjen me avionë ushtarakë në një fjalim për popullin amerikan.
“Tre aleatët kanë bashkuar fuqitë e tyre kundër barbarizmit dhe brutalitetit”-deklaroi ai. Në kohën që Donald Trump fliste, predhat e tyre fuqive godisnin Damaskun.
Kryeministrja britanike ndërkohë e konsideroi sulmin si të kufizuar dhe me shënjestra të qarta. Edhe presidenti francez deklaroi të njëjtën gjë. Më shumë se 100 predha u lëshuan mbi Sirinë gjatë sulmit. Kremlini ndërkohë reagoi duke thënë se do të ketë pasoja për perëndimin ky sulm.
Në mbështetje të sulmeve të forcave perëndimore ndaj regjimit të Bashar al Assad në Siri, është shprehur edhe shteti shqiptar. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka deklaruar se “jemi në krah të aleatëve tanë dhe mbështesim vendosmërinë e Presidentit Trump në mbrojtje të jetëve të njerëzve, të të drejtave të njeriut dhe të çdo veprimi i cili jo vetëm ndëshkon akte barbare, por krijon më shumë siguri dhe stabilitet në mbarë botën”.
Edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i bashkohet qëndrimit të Bashkimit Evropian dhe dënon ashpër sulmin e fundit të raketave në qytetet e Arabisë Saudite.
“Këto veprime dëmtojnë sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, duke përbërë në të njëjtën kohë një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”, theksohet në deklaratën e kësaj ministrie. Gjithashtu, sulmin e forcave perëndimore e kanë përshëndetur edhe Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.