Përfitimi financiar nga statusi i invalidit – Tafaj: Është indeksim, rritje nuk ka që nga viti 2010

Vetëm pak ditë më parë Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për indeksimin e përfitimit nga statusi i të verbrit. Masa e përfitimit për shkak të verbërisë, e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, bëhet 11.730 (njëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e tridhjetë) lekë në muaj. Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i të verbrit. Në fakt sipas këtij vendimi kemi një indeksim të vlerës dhe jo një rritje reale të saj.
“Në fakt nuk kemi të bëjmë me një rritje, por kemi të bëjmë thjesht me një indeksim që lidhet me shifrat që INSTAT ka nxjerrë për vitin 2016, lidhur me inflacionin. Pra, 2%, 1.5%, aq sa ç’është dhe mbi atë bazë indeksohet. Dua të kemi të qartë që indeksimi bëhet për të ruajtur atë nivel fuqie të pagesës që ne kemi patur për vitet e shkuara”, shprehet Tafaj.
Kreu i Shoqatës së të Verbërve Sinan Tafaj shpjegon se rritje e pagesave për këtë kategori nuk është bërë që nga viti 2010.
“Nga viti 2010 që është ndërprerë rritja e pagesës së aftësisë së kufizuar, sipas pagës minimale dhe deri më sot, është bërë thjesht indeksim dhe ne marrim të njëjtën vlerë financiare, pra jo në shifra, por në vlerë reale që kemi marrë në 2010-ën. Rritja e pagesës së aftësisë së kufizuar është ndërprerë në 2010-ën”, thotë Tafaj.
Me udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale është bërë indeksim i vlerës së përfitimit nga statusi i invalidit për para- dhe tetraplegjikët si dhe për kujdestarët e tyre.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.