Përfitimi nga ndërmarrjet sociale – Përveç personave në varfëri ekstreme, përcaktohen edhe 26 kategori të tjera

Janë përcaktuar kategoritë konkrete të grupeve të pafavorizuara të cilët mund të punësohen nga ndërmarrjet sociale.
Krijimi i ndërmarrjeve sociale është miratuar me ligj në vitin 2016 dhe ka si qëllim që të kontribuojnë në mbrojtjen shoqërore dhe mbështetjen e grupeve të pafavorizuara, nëpërmjet punësimit të tyre dhe ofrimit të shërbimeve për to.
Në grupet e pafavorizuara përfshihen grupet me probleme të varfërisë ekstreme, përjashtimit social për shkak të diskriminimit, papunësisë afatgjatë, vështirësive për shkak të të qenit i proceduar penalisht apo nën varësinë e drogës dhe alkoolit, dhe personat e shpërngulur.
Ndërkohë që Këshilli i Ministrave ka miratuar 27 kategori konkrete të grupeve të pafavorizuara që përfitojnë nga ndërmarrjet sociale. Këtu përfshihen përfituesit e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar në moshë aktive pune, persona që nuk kanë ndjekur arsimin e detyrueshëm, gratë që jetojnë në zonat rurale ku niveli mesatar i papunësisë e kalon 50% të nivelit mesatar kombëtar për të paktën dy vjet kalendarikë, gratë dhe vajzat viktima të mundshme të trafikimit, të shfrytëzimit dhe të dhunës në familje, personat me aftësi të kufizuar.
Në kategoritë përfituese janë përfshirë edhe emigrantët ose azilkërkuesit, të pastrehët, ish të burgosurit, personat që u përkasin pakicave kombëtare, persona që i përkasin moshës mbi 50 vjeç, personat që rezultojnë të varur apo ish-të varur nga droga, alkooli apo substanca të tjera psikotrope.
Ndërmarrjet sociale e ushtrojnë veprimtarinë e tyre me mjete financiare që mund t’i sigurojnë nga të ardhura të realizuara nga shitja e mallrave dhe tarifat e shërbimeve, subvencione publike, donacione private. Ndërmarrjet sociale duhet të regjistrohen si të tilla në regjistrin e mbajtur nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.