Përfitonin toka me dokumente të falsifikuara në Himarë e Dhërmi – Policia arreston 7 shtetas

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, njoftojnë se si rezultat i një hetimi disa mujor, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumenteve, si rezultat i provave të grumbulluara gjatë hetimit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Himara”, në kuadër të të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë për veprat penale “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, si më poshtë:
Sipas njoftimit u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: V. S., 67 vjeç, banues në Vlorë; E. M., 51 vjeç, banues në Himarë; P. P., 42 vjeç, banues në Himarë; Z. B., 58 vjeç, banues në Himarë; A. B., 64 vjeç, banues në Vlorë; E. M., 41 vjeç, banues në Himarë, i cili ndodhet aktualisht në IEVP Vlorë, i arrestuar më parë, për një tjetër vepër penale si dhe u ekzekutua masa e sigurisë “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim dalje jashtë shtetit”, për shtetasin I. Gj., 68 vjeç, banues në Himarë.
Policia bën me dije se po kështu u bë shpallja në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasve: M. S., 68 vjeç, banues në Himarë; A. K., 64 vjeç, banues në Himarë; K. DH., 68 vjeç, banues në Himarë ndërsa nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas në periudha të ndryshme kohore, duke bashkëpunuar ndërmjet tyre, dyshohen se nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, vulave, stampave e formularëve, kanë tjetërsuar dhe përfituar sipërfaqe të konsiderueshme toke, në bregdetin e Himarës dhe Dhërmiut, të cilën më pas e kanë kaluar në pronësi të tyre, ose shitur tek persona të tjerë, duke përfituar shuma të konsiderueshme të hollash.
Aktualisht sipas Policisë po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.