Performanca e HSBC – Fitimi rritet me 5%, lajmëron përsëri riblerje të aksioneve
Huadhënësi më i madh në Britani, HSBC raportoi një rritje të fitimit me 5% në gjysmën e parë të vitit dhe shtoi se do të riblejë aksione për të tretën herë këtë vit, duke treguar progresin e vazhdueshëm në planin 6-vjeçar të ristrukturimit.
HSBC, që është edhe banka më e madhe në Europë nga aktivet, ka reduktuar vende të punës dhe ka shitur asete në të gjithë botën për të kthyer firmën në përfitueshmëri dhe ruajtur pagesat e dividentit në një kohë të rregulloreve më të ashpra bankare. Me përfundimin e lajmërimit të fundit prej 2 miliardë dollarë, riblerja e aksioneve në total e HSBC do të arrijë në 5.5 miliardë dollarë që prej gjysmës së dytë të 2016-ës.
Aksionet e listuara në Hong Kong u rritën me rreth 3%, pas raportimit të kompanisë. “Në 12 muajt e fundit ne kemi paguar më shumë në divident se çdo bankë tjetër në Europë apo SHBA, dhe kemi kthyer rreth 3.5 miliardë dollarë te aksionerët nëpërmjet riblerjes së aksioneve”, deklaron kreu ekzekutiv Sturart Gulliver. HSBC ka mbajtur normën e pagesës së dividentëve sipër homologëve gjatë viteve të fundit, përfshirë në 2016-ën kur një ngadalësim i të ardhurave në banka bëri që rivalë si Standard Chartered të mos paguajnë.
Dividentët e HSBC arritën në një total prej 10.1 miliardë dollarë në vitin e kaluar, 10 miliardë në 2015-ën dhe 9.6 miliardë në vitin 2014. Në gjysmën e parë të këtij viti, fitim përpara taksave u rrit në 10.2 miliardë dollarë nga 9.7 mld që ishte në të njëjtën periudhë një vit më parë, shifër sipër projeksioneve të analistëve.
Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit (CET1) u rrit në 14.7% në fund të Qershorit, nga 14.3% që ishte në fundin e tremujorit të parë dhe 12.1% krahasuar me Qershorin e 2016-ës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.