Performanca e OSHEE për 7-mujorin – 1.5 miliardë lekë më shumë të arkëtuara, paguhen 98.8% e faturave

Kohërat kur shqiptarët nuk paguanin faturat e energjisë elektrike duken tashmë shumë të largëta, teksa sot ndërgjegjësimi për të shlyer detyrimet është shumë i lartë.
Konsumatorët e energjisë elektrike kanë derdhur në arkat e OSHEE për periudhën Janar-Korrik 37.1 miliardë lekë, ose 4.2% më shumë se një vit më parë.
Norma e arkëtimit ndaj faturës pararendëse ka arritur për këtë periudhë në 98.8%, një shifër pothuajse perfekte dhe shumë e larta krahasuar me nivelin 73% të katër viteve më parë.

Kontrollet në terren kanë rezultuar efektive në uljen e abuzimeve dhe sasisa e energjisë së shitur shënoi për këtë periudhë një rritje me 2.9%.
Ndërkohë, humbjet për OSHEE, si ato teknike për shkak të amortizimit të rrjetit, edhe ato joteknike, ndonëse ende në nivele shqetësuese, kanë shënuar një reduktim me 0.5% në fund të Korrikut 2017, duke u ndalur në 28.1%.
Në bilancin e publikuar nga vetë OSHEE, institucioni thekson se performanca do të kishte qenë edhe më e lartë sa i takon nivelit të humbjeve. Kjo për shkak të administrimit të përkohshëm nga drejtori teknik, çka solli një performancë negative për muajin Qershor në krahasim me vitin e kaluar.

Borxhi i keq, falë nënshkrimit të 390 mijë aktmarrëveshjeve të lidhura me abonentë familjarë e privatë, është ulur në 49.1 miliardë lekë, nga 67.8 miliardë lekë të krijuar në periudhën 2007-2014.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.