Performanca e ujësjellësve, MIE miraton indikatorët – Faturimet të rriten me 30%, shtim kontratash dhe investime të detyruara
Marrëdhëniet mes shoqërive që ofrojnë shërbimin e ujësjellës-kanalizimeve dhe bashkive të vendit tashmë do të rregullohen edhe përmes një kontrate performance me objektivat që duhen realizuar nga pala e kontraktuar.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ka miratuar treguesit dhe kriteret që do të përfshihen në kontratë. Bashkitë do të nënshkruajnë kontratat e performancës me administratorin e shoqërisë aksionare të ujësjellës-kanalizimeve, ku përcaktohet kushtet dhe detyrimet e secilës prej palëve.
Ky vendim vjen në kuadër të aksionit në sektorin e ujit dhe si një nxitës për bashkitë që të arrijnë rezultate sa më të larta në luftën ndaj informalitetit. Shoqëritë që nuk do të arrijnë të përmbushin kriteret e kontratës nuk do të përfitojnë subvencionime shtetërore për mbulimin e kostove.
I gjithë ky proces duket se do të mbikëqyret nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila do të asistojë bashkitë dhe UK në hartimin e projektpropozimeve për investime.
Indikatorët e performancës
Kontrata e performancës do të ketë disa indikatorë kryesorë të performancës së aksionit gjatë këtij viti.
Konkretisht, synohet rritja e numrit të klientëve të zonës së shërbimit, në mënyrë proporcionale sipas gjendjes aktuale. Kështu, nëse 85% e njësive janë me kontrata, atëherë rritja synohet të jetë me 8%, ndërsa për UK që kanë 60-64% të njësive me kontrata, rritja e numrit të klientëve duhet të jetë mbi 14%.
Gjithashtu pritet një rritje e shumës monetare të faturimeve në të paktën 30% për të gjitha shoqëritë, e cila do të arrihet edhe përmes rritjes së nivelit të arkëtimeve në mbi 95%. Kjo do të thotë se të paktën 95% e qytetarëve dhe bizneseve duhet të paguajnë faturat e ujësjellësit në mënyrë që puna e Ujësjellës-Kanalizimeve për reformën e ujit të quhet e realizuar.
Edhe detyrimet e prapambetura para datës 1 Janar 2018 duhet të arkëtohen të paktën në masën 30%. Sa i takon ujit të pafaturuar, ose ujit pa të ardhura, shoqëritë e UK duhet të përpiqen ta reduktojnë me të paktën 10%.
Të gjitha shoqëritë e UK duhet gjithashtu të reduktojnë koston e punës dhe të energjisë me të paktën 15%.
Niveli i matjes së konsumit të ujit është një tjetër nga pikat e performancës, ku kërkohet që lidhjet e pajisura me ujëmatës të arrijnë në masën 90%, ndërsa për konsumatorët me çezma të përbashkëta të lidhen kontrata kolektive ose kontrata fikse. Ujëmatësat do të vendosen edhe në çdo burim dhe pus-shpime për të matur sasinë e ujit që futet në rrjet
Synohet gjithashtu mbulimi i kostos totale të operimit me arkëtime në masën 100% për shoqëritë që aktualisht janë në nivelin mbi 80% dhe deri në 80% për shoqëritë që aktualisht mbulojnë me arkëtime vetëm 60% të kostos totale.
Sa i takon nivelit të investime, për bashkitë me mbi 30 mijë kontrata, vlera e investimit nga fondi i buxhetit të bashkive duhet të jetë minimalisht 18 euro për lidhje, ndërsa për bashkitë në 20 mijë kontrata, investimi të arrijë masën 12 euro për lidhje.
Shoqëritë e UK duhet të garantojnë edhe furnizimin e familjeve në nevojë me të paktën 20 litra për frymë në ditë pa pagesë.
Në kontratë megjithatë nuk përfshihen objektiva të tjerë si orari i shtuar i furnizimit me ujë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.