Përfshirja sociale – GREVIO, Alokimet financiare për 2017 janë ulur në mënyrë drastike
Alokimet financiare lidhur me përfshirjen sociale për 2017 janë ulur në mënyrë drastike krahasuar me një vit më parë. Sipas informacionit të dhënë nga autoritetet, shpenzimet totale për veprimtaritë që lidhen me përfshirjen sociale në vitin që lamë pas ishin në vlerën e mbi 182 mijë euro.
Ndërkohë që në vitin 2016 kjo vlerë ishte mbi 294 mijë euro dhe në 2015 ishte mbi 207 mijë euro, sipas këtyre të dhënave financimet në 2017 janë ulur në mënyrë drastike krahasuar me dy vite më parë.
Por nëse bëjmë një krahasim me vitin 2014 vlera financiare e alokuar në 2017 pothuajse është dyfishuar. GREVIO raporton se: Ndonëse raporti i vendit tregon se shumat e rezervuara në program për dhunën me bazë gjinore, dhe në veçanti për dhunën në familje, janë rritur gjatë viteve të fundit, shifrat e sakta nuk janë ofruar ende për ta vërtetuar këtë.
Entitete të tjera shtetërore të përfshira në luftën kundër dhunës ndaj grave, të tilla si Policia e Shtetit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, nuk kanë alokimet buxhetore që i dedikohen posaçërisht dhunës ndaj grave.
Në nivel vendor, punonjësit e barazisë gjinore, të cilët kanë rolin e koordinatorëve vendorë kundër dhunës në familje, nuk janë emëruar ende në 17 bashkitë nga 61 që janë në total.
Shifrat e përafërta të dhëna nga autoritetet tregojnë se financimet e donatorëve mbulojnë të paktën gjysmën e shpenzimeve që lidhen me barazinë gjinore dhe dhunën me bazë gjinore.
GREVIO vlerëson faktin se pjesa më e madhe e shpenzimeve të buxhetuara (29.9%) sipas Planit aktual Kombëtar të Veprimit për Barazinë Gjinore është alokuar për luftimin e dhunës me bazë gjinore.
Sipas informacionit të dhënë nga autoritetet, Policia e Shtetit buxhetoi 664 mijë euro për vitin 2017, krahasuar me378 mijë euro në vitin 2014 për identifikimin e rasteve të dhunës në familje, dhe 663 mijë euro në vitin 2017, krahasuar me 378 mijë euro në vitin 2014 për masat e mbrojtjes së menjëhershme për gratë dhe vajzat.
Shpenzimet totale për zbatimin e Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit arrijnë vlerën 20.5 milionë euro.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.