Përfundon 80% e pastrimit të gjurmës së TAP – Shqipëri dhe Greqi, gati 627 kilometra gazsjellës

Konsorciumi i gazsjellësit Trans-Adriatik njoftoi së fundmi se, është mbyllur 80% e pastrimit të gjurmës (hapja e rrugës për të filluar gërmimet) në Shqipëri dhe Greqi, ku edhe përqëndrohet pjesa më e madhe e projektit, mbi tre të katërtat.
Sipas konsorciumit, në Shqipëri dhe Greqi janë bërë gati deri më tani 627 kilometra, nga 878 kilometra në tërësi të projektit. Pas përfundimit të kësaj faze, do të fillojnë punimet për fazën përfundimtare dhe atë më delikate, shtrirjen e tubacioneve të gazsjellësit në shtratin e detit Adriatik, ku do të bëhet edhe lidhja mes Shqipërisë dhe rajonit të Puglias në Itali.
Pak kohë më parë, konsorciumi lajmëroi se, në vendin tonë, në Greqi por edhe në Itali ka përfunduar dërgimi i të gjitha materialeve, çka përkthehet në ritme më të shpejta pune në vijim. Përfundimi i punimeve brenda afatit, është nënvizuar në mënyrë të përsëritur nga Bashkimi Europian, që e sheh gazsjellësin si një projekt strategjik, për të ulur sadopak varësinë e Europës ndaj gazit rus.
Në vendin tonë, punimet duken se kanë ecur me ritme më shumë se të kënaqshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.