“Përfundon lufta tregtare”? – Nga janari Kina në bisedime me SHBA

Kina dhe Shtetet e Bashkuara do të mbajnë më shumë bisedime mbi tregtinë në janar, pas diskutimeve të hollësishme rreth çështjeve që do të trajtohen në negociata.
Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë Gao Feng shprehu besim në “zbatimin e suksesshëm” të një konsensusi të arritur në bisedimet e 1 dhjetorit midis Presidentit të SHBA Donald Trump dhe homologut të tij kinez Xi Jinping në Argjentinë. Gao tha se të dy palët kanë qenë në kontakt të ngushtë që atëherë.
“Të dy palët do të organizojnë konsultime duke përfshirë takime dhe thirrje në çdo kohë siç është e nevojshme për të nxitur zbatimin e konsensusit të krerëve të shtetit” – u tha gazetarëve në Pekin Gao.
Ai nuk shpjegoi se kush do të udhëheqë bisedimet e ardhshme ose ku do të mbahen. Sekretari i Thesarit i SHBA, Steven Mnuchin, tha më parë se Kina dhe Shtetet e Bashkuara po planifikonin të mbajnë takime në janar për “të dokumentuar një marrëveshje” për tregtinë. Zyrtarët e administratës Trump nuk kanë zbuluar plane për takime ballë për ballë që nga bisedimet Trump dhe Xi.
“Potenciali për bashkëpunim tregtar mes dy vendeve ishte i madh dhe natyra e bashkëpunimit të favorshëm nuk do të ndryshojë” – tha Gao. Trump dhe Xi Jinping ranë dakord në Argjentinë për një armëpushim që vonoi planin e 1 Janarit për rritjen e tarifave për 200 miliardë dollarë mallra kineze, ndërsa ata negociuan një marrëveshje tregtare.
E.T/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.