Përfundon ndërtimi – Një tjetër rrugë lidh Kosovën me Shqipërinë
Kosova dhe Shqipëria lidhen tashmë përmes rrugës së Borjes, ku është edhe pika e kalimit kufitar pranë fshatit Glloboçicë në Kosovë.
Pika kufitare shërben për kalim të këmbësorëve dhe shfrytëzohet nga banorët në të dy anët.
Sipas FSZH, për të lidhur këto dy anë të kufirit kanë investuar qeveritë e të dy vendeve. Nga ana shqiptare gjatësia e rrugës Borje deri në pikën e kalimit kufitar është 2,5 kilometër dhe financimi ka ardhur nga qeveria shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptari Zhvillimit në kuadër të programit “Për rehabilitimin e akseve rrugore prioritare në vend”. Në pjesën e Kosovës aksi është rreth 1.4 kilometër dhe tashmë ka përfunduar.
Investimi në zonën e Borjes është me rëndësi jetike për banorët e këtij fshati, për shkak të pozicionit gjeografik që ky fshat ka në raport me fshatrat e tjerë të zonës së Kukësit. Më konkretisht, fshati Borje ndodhet rreth 32 kilometër larg nga qyteti i Kukësit.
Përveç zgjerimi të trupit të rrugës, u ndërtuan edhe veprat e artit, kanalet anësore të rrugës, nënshtresat dhe shtresat asfaltike. Rruga është e pajisur me elementë të sigurisë rrugore, mbrojtëse anësore metalike dhe sinjalistikën e nevojshme vertikale dhe horizontale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.