Përfundon numërimi i kutive në të gjithë Shqipërinë – KQZ dërgon njoftimin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton mediat se ka përfunduar numërimi i votave në të gjithë Shqipërinë. Kryetari i Komisionit, Klement Zguri pritet të dalë në një konferencë për shtyp nga ku do të shpallë përfundimin zyrtar të këtij procesi.
Faqja zyrtare ku KQZ shpall rezultatet e zgjedhjeve ka ndaluar në 98,97%, ose 5307 nga 5362 kuti të numëruara dhe pas daljes së Zgurit, pritet edhe të shpallet rezultati përfundimtar.
Janë dashur 47 orë, pas mbarimit të procesit të votimit ditën e diel në orën 20:00, që kutitë të mbylleshin, transportoheshin dhe të numëroheshin nga anëtarët e komisioneve nëpër 90 KZAZ e shpërndara.
Pikërisht numri i shtuar i qendrave të numërimit ka qenë edhe një nga arsyet e përshpejtimit të këtij procesit dhe përfundimin më të shpejtë në kohë në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
Në fund të numërimit 140 mandatet për deputet në Kuvendin e Shqipërisë ndahen si më poshtë: 74 mandate për Partinë Socialiste, 43 mandate për Partinë Demokratike, 19 mandate për Lëvizjen Socialiste për Integrim, 3 mandate për Partinë Drejtësi Integrim dhe Unitet, si edhe 1 mandat për Partinë Social Demokratike.
Në rast se nuk do të ketë ankimime në lidhje me zgjedhjet nga asnjë palë pranë KQZ ose Kolegjit Zgjedhor, atëherë zgjedhjet do të marrin menjëherë certifikimin e këtij komisioni. Në të kundërt certifikimi do të bëhet vetëm në përfundim të shqyrtimit të çdo ankese të depozituar brenda afateve ligjorë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.