Përfundon takimi i Forumit Ekonomik Botëror për vendet e ASEAN – Theksi tek teknologjia dhe çështjet sociale

Takimi i Forumit Ekonomik Botëror për rajonin e Azisë Juglindore, ASEAN ka përfunduar të premten. Gjatë tre ditëve në Kamboxhia, 700 liderë nga 40 vende iu bashkuan takimit.
Midis tyre ishte edhe presidenti i Filipineve Rodrigo Duterte, i cili gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e rajonit në ekonomi.
“ASEAN do të luajë një rol kyç bë mbajtjen e stabilitetit në Azi”, tha Duterte, duke shtuar se rajoni është një aktor i fuqishëm ekonomik në rritje.
Presidenti filipinas pranoi se liderët në këtë bllok ekonomik duhet të bëjnë më shumë për popullin e tyre dhe se sfida si integrimi, ndërlidhja dhe ndryshimet teknologjike gjenden përpara. Megjithatë, këto do të bëhen, sipas Dutertes “sipas nevojave tona, me hapin tonë dhe të drejtuara nga vlerat tona bazë”.
Duterte gjithashtu foli edhe për atë që është bërë i njohur në botë, luftën ndaj drogërave të jashtëligjshme, duke i fajësuar se po rrezikojnë rininë dhe shoqërinë.
Në forum, foli edhe drejtori ekzekutiv i AirAsia, Tony Fernandes, i cili u bazua tek sipërmarrësit dhe tek teknologjia për të drejtuar të ardhmen e ASEAN.
“Është e pabesueshme çfarë po ndodh në fushën e inteligjencës artificiale. Është një mundësi e madhe për Kamboxhian dhe për ASEAN, t’i futemi kësaj teknologjie sa është ende herët. Do të krijojë ndryshime, por kjo nuk do të thotë se vendet e punës do të humben. Nuk duhet të kemi frika se teknologjia do të na zërë vendet e punës”, tha Fernandes.
Ndërkohë një pjesë e mirë e folësve, theksuan rëndësinë e integrimit të shoqërisë me rrjetet sociale, garantimin e të drejtave njerëzore, sigurisë dhe lirisë. Mbi gjysma e popullsisë së rajonit është nën 30 vjeç, çka do të thotë se ASEAN ka një potencial shumë të madh.
Në takim mori pjesë edhe Tan Hooi Ling, bashkëthemeluesja e kompanisë “Grab”, liderit në rajon për transportin dhe shërbime të ngjashme me Uber. Sipas saj blloku ekonomik duhet të investojë në sektorin e teknologjisë, çka sipas saj nuk është aspak e pamundur. Ajo dha si shembull adaptimin e shpejtë të teknologjisë së telekomunikacionit. Sipas Ling, “gjithmonë do të ketë pengesa, por duhet të mësojmë si t’i shndërrojmë sfidat në mundësi”.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.