Përfundon vizita e FMN në Malin e Zi – Misioni rekomandon rritjen e TVSH dhe akcizës

Fondi Monetar Ndërkombëtar përmbylli vizitën e misionit një javor në Podgoricë, ku u diskutua me autoritetet strategjia e konsolidimit fiskal.
Në fund të vizitës, drejtuesi Martin Petri u shpreh optimist për realizimin e objektivave të vendosur në fund të Shkurtit.
“Pikëpamja ekonomike për vitin 2017 duket favorizuese me rritjen që pritet në rreth 3% dhe inflacionin e ulët. Edhe rritja e kreditit duket e qëndrueshme. Deficiti aktual i llogarisë projektohet në rreth 20% të PBB, kryesisht prej importeve për aktivitetin e investimit. Rritja e fortë në eksporte, sidomos në turizëm dhe energji, pritet të ngushtojë deficitin në të ardhmen”, u shpreh Petri.
Ai e përkrahu strategjinë e propozuar nga autoritetet vendase, pasi është në linjë me rekomandimet e FMN. Nëse qeveria do ta miratojë dhe zbatojë atë, do ta vendosë Malin e Zi në një pozitë të qëndrueshme fiskale, duke i dhënë mjetet e nevojshme për t’u përballur me borxhin dhe nevojat e së ardhmes.
“Politikat e përshkruara në draft strategjinë do t’i lejonin autoritetet të arrinin një suficit primar prej 4,5% deri në fund të 2020-ës, një përmirësim i konsiderueshëm krahasuar me deficitin primar prej 4% të PBB të llogaritur për vitin 2017”, tha Petri.
Ndër masat që pritet të merren përfshihet një rritje e TVSH për produktet joushqimore dhe një rritje e akcizës për cigaret, alkoolin, pijet me sheqer dhe qymyrin.
Edhe administrata publike preket nga plani, duke ulur rrogat për disa nga zyrtarët me vjetërsi më të madhe në punë, si edhe duke shkurtuar numrin e pozicioneve brenda sektorit publik.
Masat pritet të kenë një ndikim të madh tek borxhi publik, i cili në vitin 2019 do të arrijë 81% të PBB-së. Deri në vitin 2022 ky borxh pritet të ulet në 67% të PBB.
FMN pret që edhe sektori bankar të vazhdojë ecurinë pozitive duke ndikuar pozitivisht në ekonomi.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.