Përhapja e Koronavirusit në Itali: Çfarë po bëjnë vendet e tjera të BE-së, thirrje për mbylljen e kufinjve
Ndërsa Italia merret me një seri të rasteve të konfirmuara të virusit COVID-19, vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian po shqyrtojnë se çfarë masash duhet të ndërmarrin për të parandaluar që sëmundja të kalojë Alpet.
Qeveritë e Sllovenisë dhe Kroacisë, ku nuk raportohet asnjë rast, mblodhën takime urgjente të hënën. Zagrebi ka njoftuar se të gjithë udhëtarët që vijnë nga Italia do të monitorohen dhe se të gjitha udhëtimet shkollore të planifikuara në Itali gjatë javëve të ardhshme do të anullohen.
Ministria kroate e Punëve të Jashtme azhurnoi gjithashtu këshillën e saj të udhëtimit, duke këshilluar shtetasit e saj të shmangin vizitën në rajonet veriore italiane të Veneto dhe Lombardisë për shkak të “rrezikut të infeksionit të koronavirusit”.
Më tej në lindje në Rumani, autoritetet kanë njoftuar se të gjithë shtetasit italianë nga rajonet italiane ku janë konfirmuar rastet e COVID-19 do të futen në karantinë për 14 ditë. Agjensia e lajmeve AP raportoi megjithatë se njerëzit në kufi u kërkohet vetëm të plotësojnë një formular.
Për të mbyllur apo për të mos mbyllur kufijtë
Në Francë, deputeti i krahut të djathtë Eric Ciotti nga rajoni kufitar i Alpes-Maritimes, i ka shkruar qeverisë duke kërkuar që kontrollet në kufi të rriten.
Marine Le Pen, drejtuesi i partisë së ekstremit të djathtë, i ka bërë jehonë thirrjes së tij, por kërkesa të tilla janë hedhur poshtë si “të padobishme” nga Jerome Salomon, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë.
Zyra Federale Zvicerane e Shëndetit Publik (OFSP) ende nuk ka njoftuar masa shtesë, duke theksuar megjithatë që autoritetet po monitorojnë nga afër zhvillimet në Itali.
Sidoqoftë, në Kantonin Ticino, njerëzit që paraqesin simptoma të infeksionit të frymëmarrjes konsiderohen të dyshuar dhe të izoluar. Një grup koordinimi ishte planifikuar të takohej të hënën për të vendosur nëse masat e mëtejshme janë të nevojshme në dritën e situatës në veri të Italisë.
Nënkryetari i partisë nacional-konservatore Lega dei Ticinesi, Lorenzo Quadri, ka bërë thirrje që kantoni të mbyllë kufirin e saj për 70,000 punëtorët e kufirit nga Lombardia që vijnë në vend çdo ditë.
Në Austri, trafiku i trenave drejt dhe nga Italia rifilloi të hënën pas një ndërprerje katër-orëshe të Dielën në mbrëmje.
Shteti-ishull mesdhetar i Maltës ka njoftuar se të gjithë pasagjerët që vijnë në ishull do të kontrollohen me skanues termik.(Euronews)
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.