Përjashtimi nga taksat e bashkisë – Kategoritë që s’do paguajnë më për shkollat dhe pastrimin

Administratorët e pallateve dhe fermerët do të përjashtohen nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore si dhe nga tarifa e pastrimit. Gjithçka parashikohet në një projektvendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, i cili pritet të miratohet në mbledhjen e datës 28 shtator.
Sipas relacionit që shoqëron projektvendimin, në bazë të ligjit për procedurat tatimore, të gjithë fermerët individë, që tregtojnë produktet e veta bujqësore dhe blegtorale nga ekonomia e tyre individuale, me qëllim evidentimin e mallit dhe burimin e tyre janë pajisur me NIPT, ndërkohë që janë të përjashtuar nga detyrimet tatimore.
Gjithashtu, në dokument argumentohet fakti se këta fermerë në realitet nuk kryejnë aktivitet biznesi, por vetëm garantojnë shitjen e produkteve të tyre me dokument origjine, si garantimin në një farë mase të burimeve të jetesës, megjithëse me vështirësi rimbursojnë shpenzimet e prodhimit për mbijetesë.
Nisur nga ky fakt, Këshilli Bashkiak ka propozuar përftimin e lehtësirave fiskale për të gjithë individët fermerë, që nuk kanë si qëllim aktivitet biznesi, duke u përjashtuar nga pagesa e taksës së përkohshme të infrastrukturës arsimore dhe tarifa e pastrimit.
I njëjti argument qëndron edhe për administratorët e pallateve, të cilët për efekt të legjislacionit respektiv kanë detyrimin e pajisjes me NIPT, ndërkohë që nuk ushtrojnë aktivitet fitimprurës.
Aktualisht taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore është për kategorinë e shitjeve me pakicë është 4 mijë lekë për biznesin e vogël, 15 mijë lekë në vit, për biznesin e madh dhe 22 mijë lekë për kategorinë VIP.
Ndërkohë që, tarifa e pastrimit për shitjet me pakicë të biznesit me 0-2 milion lekë xhiro është 3500 lekë, ndërsa për atë me xhiro vjetore 2-8 milion lekë përllogaritet në masën 10 mijë lekë.
Kjo tarifë për shitjet me pakicë të biznesit të madh është 80 mijë lekë në vit, ndërsa për biznesin VIP 100 mijë lekë në vit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.