Përkeqësim i lehtë i lirisë në Shqipëri – “Freedom House”: Humbet një pikë, për shkak të politikës
Shqipëria ka humbur një pikë në raportin e “Freedom House” për lirinë në botë në 2020-ën, nga 68-të një vit më parë, në 67, sot. Vendi ynë vijon të klasifikohet si pjesërisht i lirë. Indeksi përpilohet mbi bazën e 2 nën-indikatorëve, atë të të drejtave politike si dhe atë të lirive civile.
Në këtë të fundit nuk ka asnjë ndryshim, duke grumbulluar 40 pikë nga 60 të tilla. Në atë të të drejtave politike, vendi ynë ka humbur një pikë, duke grumbulluar 27 pikë nga 40 të tilla, nga 28 të një viti më parë. Kjo rënie duket se vjen si rrjedhojë e një viti të mbrapsht për politikën, me daljen e opozitës nga parlamenti, protestave të ashpra, por edhe zgjedhjeve aspak të zakonta lokale.
Raporti i detajuar për vendin tonë, ku do të shihet edhe vlerësimi për zgjedhjet lokale dhe procesin në tërësi, përplasjet politike dhe tensionet e mëdha, do të publikohet së shpejti, njofton “Freedom House”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.