Përkeqësohet lufta tregtare: SHBA-Kinë rrisin tarifat e mallrave
Raundi më i fundit në luftën tregtare mes SHBA dhe Kinës janë tarifat e reja të mallrave midis dy ekonomive më të mëdha në botë.
Administrata e Presidentit Donald Trump vendosi tarifat prej 10 për qind në 200 miliardë dollarë të produkteve kineze që përfshijnë mobilie dhe pajisje dhe gjithashtu thanë se kjo normë mund të rritet në 25 për qind deri në fund të vitit. Kjo është pjesë e një strategjie për të ushtruar presion ndaj Pekinit për ndryshimin e praktikave tregtare që Trump pretendon se dëmtojnë kompanitë amerikane.
Si kundërpërgjigje, qeveria e presidentit kinez Xi Jinping tha se do të vendoste taksa mbi 5,207 importe amerikane me vlerë rreth 60 miliardë dollarë. Produkte të tilla si gaz natyror të lëngshëm, kafe dhe lloje të ndryshme të vajit ushqimor do të kenë një taksë prej 10 për qind, ndërsa një taksë prej 5 për qind do të imponohet për mallra si perime të ngrira, pluhur kakao dhe produkte kimike.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë aplikuar tashmë tarifa në 50 miliardë dollarë të mallrave të njëri-tjetrit – këto janë masa që kërcënojnë të prishin zinxhirët e furnizimit global.
Disa orë pas daljes së tarifave të reja, agjensia kineze e lajmeve Xinhua akuzoi SHBA për “tallje të tregtisë”. Gjithashtu, media shprehet se Pekini ishte i gatshëm të kthehej në tryezën e negociatave me Uashingtonin nëse diskutimet ishin “të bazuara në respekt dhe barazi reciproke”, raportoi Reuters.
Gjatë fundjavës, Pekini kundërshtoi ftesën e Uashingtonit për të rifilluar bisedimet tregtare dhe nuk është e qartë kur do të takohen të dyja palët në të ardhmen.
e.t/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.