Përkujtohen 16 deputetët e pushkatuar – Rama: Ligji hedh dritë mbi të shkuarën, Basha: Të presim lidhjet
Kuvendi ka përkujtuar me një seancë solemne 70 vjetorin e pushkatimin të një grupi deputetësh në sistemin e sapovendosur komunist. Në sallën e kuvendit me të pranishëm deputetë dhe ambasadorë, kryeministri Edi Rama tha se qeveria e tij kërkon të hedhë dritë në të kaluarën dhe ligji i miratuar për hapjen e dosjeve, i shërben pikërisht këtij qëllimi.
“Sot jemi këtu për shkak të një ligji, që ne e kaluam në këtë parlament dy vjet më parë, një ligji që më fund, ekzaktësisht pas 25 vjetësh e bashkoi Shqipërinë me vendet që kaluan përmes ferrit komunist dhe që vendosën të ndahen me të, jo thjesht duke ndërruar sistemin dhe kostumet, por duke guxuar të bëjnë dritë mbi të shkuarën”, tha Rama.
Në fjalën e tij, Lulzim Basha ka sulmuar kryetarin e Kuvendin Gramoz Ruçi, duke u angazhuar se duhet t’i pritet rruga drejtimit të këtij institucioni nga përfaqësues të sistemit të kaluar.
“Sot dua të zotohem që së bashku me Partinë Demokratike të punojmë që kjo të ndryshojë. Dhe ka ende shumë që ne mund të bëjmë. Së pari duhet të gjejmë dhe identifikojmë të gjitha eshtrat e viktimave të komunizmit ende të pazbuluara. Së dyti duhet të nderojmë emrat dhe kontributet e të gjithë martirëve të vërtetë të demokracisë dhe pluralizmit shqiptar. Duhet t’u presim rrugën njëherë e mirë të paktën drejtuesve të lartë komunistë nga drejtimi i vendit”, tha Basha.
Në 10 tetor të vitit 1947, u pushkatuan 16 deputetë nga regjimi komunist me akuzën e tentativës për rrëzimin e sistemit.
Arbër Hitaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.