Përkujtohet 17-vjetori i 9/11 – Trump: E ardhmja e Amerikës është shkruar nga heronjtë

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe zëvëndëspresidenti, Mike Pence, morën pjesë në ceremonitë përkujtimore me rastin e 17 vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. Duke folur përpara familjeve të viktimave në Pensilvani, ku avioni që mori emrin “Fluturimi 93”, u rrëzua në një fushë pranë qytezës së Shanksville, Trump falenderoi të afërmit për sakrificën e tyre, gjatë një fjalimi të cilësuar si patriotik.
“Ne do t’i mbajmë mend fytyrat e tyre, zërin e tyre, historitë dhe kurajon e tyre. Do të mbajmë mend se njerëzit e lirë nuk janë kurrë në mëshirën e së keqes, sepse fati ynë është gjithmonë në duart tona. E ardhmja e Amerikës nuk është shkruar nga armiqtë tanë. E ardhmja e Amerikës është shkruar nga heronjtë tanë,” tha Trump.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti Mike Pence mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar në Pentagon, në pjesën e godinës e cila u godit nga “Fluturimi 77” i American Airlines, ku gjetën vdekjen 184 persona.
“Ne takohemi përsëri në këtë vend ku citohen emrat e të dashurve tanë, që ranë për atdheun. Emrat e tyre do të kujtohen përgjithmonë pasi janë gdhendur në zemrat e popullit amerikan,” tha Pence.
Rreth 3,000 gjetën vdekjen gjatë sulmeve të 11 shtatorit, që cilësohen si sulmet më vdekjeprurëse në SHBA, që nga bombardimi i Pearl Harbor në vitin 1941.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.