Përmbytjet në Greqi, ndihma vjen nga Shqiptarët – Shoqatat organizohen për mbledhjen e ndihmave

Katastrofa natyre që preku rajonin në perëndim të Athinës dhe shkaktuan 19 viktima kanë sjellë sensibilizimin e jo vetëm qytetarëve helenë, por edhe të emigrantëve shqiptarë, të cilët tashmë janë pjesë e pandarë e komunitetit.
Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi, e cila bashkon të gjitha shoqatat e emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj është organizuar këto ditë në mbledhjen e ndihmave për të dëmtuarit dhe prekurit nga përmbytjet.
Thirrjes së shoqatës u janë përgjigjur me dhjetëra shqiptarë, të cilët kanë kontribuar me veshje, ushqime, batanije, etj., për t’iu ardhur në ndihmë të prekurve në Mandra Atikis.
Pikat e grumbullimit të pakove janë caktuar në disa sheshe dhe qendra të Athinës dhe Korinthos, ndërsa procesi do të vazhdojë edhe ditët në vijim.
Nisma është mirëpritur nga të gjithë anëtarët e shoqatës, por edhe nga familjet e të dëmtuarve, të cilët nuk kanë humbur rastin për t’i falenderuar në rrjetet sociale.
Pjesa më e madhe e viktimave janë persona të moshës së tretë, të cilët nuk kanë mundur të largohen nga banesat ku jetonin. Niveli i ujërave detyroi banorët të braktisin katet e para të shtëpive, duke u ngjitur në tarraca për të kërkuar ndihmë.
Reshjet e dendura patën ndikim edhe në autostrada, duke i kthyer në lumenj të furishëm, të cilët kanë tërhequr pas tyre vetura, furgonë, madje edhe kamionë të tonazhit të rëndë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.