“Përmirësimi i kushteve të banimit” – 300 familje rome përfitojnë nga projekti i MZHU

Programi i Ministrisë së Zhvillimit Urban “Për përmirësimin e kushteve të banimit të komunitetit Rom dhe Egjiptian” do t’u mundësojë 300 familjeve nga këto pakica kombëtare të zhvendosen në shtëpi të rikonstruktuara dhe me kushte më të mira.
Për vitin 2017, nga programi përfituan 13 bashki me vlerë rreth 139 milion lekë, konkretisht bashkitë: Roskovec, Fier, Mirditë, Shijak, Krujë, Pogradec, Librazhd, Vlorë, Elbasan, Lushnjë, Rrogozhinë, Devoll dhe Korçë.
Këto bashki do të përfitojnë në vlera nga 2.7 milionë lekë, deri në 16 milionë lekë dhe do të shkojnë kryesisht për rikonstruktimin e godinave ekzistuese, ngritjen e strukturave të reja, apo për ndërtimin e impianteve të nevojshme.
Që prej vitit 2014, me fonde të kësaj ministrie janë investuar 247 milionë lekë për rikonstruksionin e plotë të 469 banesave të komunitetit Rom dhe Egjyptian, në 15 bashki të vendit.
Falë zbatimit të këtyre projekteve janë 1 876 qytetarë të këtij komuniteti që jetojnë në kushte të përmirësuara jetese dhe mbi 1 mijë qytetarë që jetojnë në kushte më të mira higjieno-sanitare falë ndërhyrjeve në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza.
Ndërkohë, me fondet e buxhetit të shtetit është parashikuar që të përmirësohen kushtet e jetesës për 740 qytetarë të komunitetit Rom dhe Egjiptian.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.