Përmirësimi i infrastrukturës ujore – Gjiknuri: Jo më investime nëse nuk ka performancë
Qeveria këtë vit është fokusuar më tepër tek reforma e ujit të pijshëm, pas asaj të energjisë. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, u shpreh gjatë një vizite në zyrat e Shërbimit ndaj Klientit në Ujësjellësin e qytetit të Beratit, se pavarësisht investimeve të shumta, ujësjellësit në katër bashkitë rezultojnë me humbje.
Sipas tij, në Bashkitë e këtij Qarku kanë përfunduar ose janë në vazhdim investime në ujësjellës/kanalizime që arrijnë në vlerën 3.3 miliard lekë.
Ndërkaq, ministri Gjiknuri ishte i drejtpërdrejtë në kërkesën e tij që të ketë një ndryshim rrënjësor të performancës së ndërmarrjes së ujësjellësit.
“Disa shenja të para janë pozitive. Kërkohet një punë akoma më e madhe nga ujësjellësi këtu por edhe nga vet bashkia. Ne e kemi thënë, qeveria këto instrumente ka: sensibilizon, mbështet financiarisht, mbështet me institucionet e tjera për të luftuar ilegalitetin, por në fund të fundit bashkitë janë vet përgjegjëse. Qytetarët e Beratit janë administratorët e ujit të tyre, janë administratorët e kësaj pasurie. Nëse ata do të duan që investimet të vazhdojnë dhe të përmirësohet furnizimi me ujë, duhet patjetër të formalizohen, duhet patjetër ta mirë administrojnë dhe u lind detyra ju, të zgjedhurve vendor por edhe ju si përfaqësues të aksionerëve që në këtë rast janë qytetarët e Beratit që këtë proces ta merrni shumë seriozisht”, u shpreh Gjiknuri.
Për periudhën Nëntor 2017-Janar 2018 rezulton të jenë arkëtuar në bashkitë e qarkut Berat 42 milion lekë më shumë se sa e njëjta periudhë e një viti më parë. Në nivel Qarku për tre muajt e fundit janë 321 abonentë të cilët kanë lidhur kontratat e reja me ndërmarrjet e ujësjellës/kanalizimeve ashtu sikurse janë instaluar 1196 ujëmatës.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.