Përmirësohet ekonomia britanike – Banka e Anglisë rishikon projeksionet, largohet pesimizmi

Projeksionet për ekonominë britanike janë përmirësuar ndjeshëm. Së fundmi, Banka e Anglisë ka rishikuar në territor pozitiv parashikimet për rritjen ekonomike të vendit për këtë vit dhe atë të ardhshëm.
Projeksionet e reja flasin për një normë rritje në 1.6% për këtë vit, nga 1.3% që ishin më parë, dhe 1.4% vitin e ardhshëm, nga 1.2% që vlerësohej më parë. Përmirësimi i projeksioneve vjen si pasojë e rimëkëmbjes së sektorit të manifakturës por edhe konsumit privat.
Ky rishikimi i Bankës Qendrore në vend vjen vetëm një javë pasi institucioni deklaroi se, do të rrisë shumë shpejt normat e interesit, për të parën herë në një dekadë. Institucioni sqaroi se, Brexit vazhdon të përbëjë një problem, por se, ekonomia nga ana tjetër, është përmirësuar ndjeshëm, dhe aktualisht është shumë larg pritshmërive të mëparshme.
Ndërhyrjen e ardhshme e sinjalizojnë edhe disa prej anëtarëve më skeptikë të institucionit, të cilët kanë deklaruar se po vjen momenti.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.