Përmirësohet sistemi energjetik – Indeksi global i Këshillit Botëror të Energjisë, Shqipëria fiton 6 vende në renditje
Shqipëria ka fituar 6 pozicione në renditjen globale të qëndrueshmërisë energjetike. Indeksi i publikuar çdo vit nga Këshilli Botëror i Energjisë e rendit vendin tonë të 73-tin në botë, ndër 128 ekonomi, ndërkohë që një vit më parë mbante vendin e 79-të, ndër 125 ekonomi.
“World Energy Trilemma Index” ka për qëllim të masë qëndrueshmërinë energjike të një shteti duke u bazuar në tre shtylla kryesore: sigurinë energjetike, barazinë dhe qëndrueshmërinë ambientale.
Shqipëria merr bindshëm më shumë pikë në drejtim të qëndrueshmërisë ambientale dhe në atë të barazisë ndërkohë që zhgënjen në drejtim të sigurisë energjetike. Shqipëria është vendi i parafundit në rajon, si dhe i 4-tinga fundi në Europë, vetëm me Gjeorgjinë, Bosnje Hercegovinën dhe Moldavinë më keq se ne.
Në nivel global ndërkohë, Zvicra, Suedia dhe Danimarka kryesojnë listën e Këshillit Botëror të Energjisë. Nga krahu tjetër i tabelës ndërkohë, kemi Çadin, Kongon dhe Nigerinë. Siguria energjetike është një ndër treguesit më të rëndësishëm të një vendi, jo vetëm për shkak të nevojave në sektor, por sidomos pasi përkthehet në paqëndrueshmëri fiskale.
Një sërë institucionesh ndërkombëtare, si FMN, Moody`s, Banka Botërore, etj kanë paralajmëruar Shqipërinë se një ndër rreziqet kryesore fiskale buron pikërisht nga paqëndrueshmëria energjetike, rrjedhojë e drejtpërdrejtë e varësisë së sektorit nga burimet hidrike, që në vetvete janë në varësi të kushteve meteorologjike.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.