Përmirësohet situata e papunësisë – 3 mujori i tretë/ Instat: U ul me 0.3%, punësimi u rrit me 2.8%
Shkalla e papunësisë në tremujorin e tretë të vitit u regjistrua në 11,6%, duke shënuar një ulje me 0.3 pikë përqindje në raport me 3-mujorin e dytë ku papunësia u fiksua në 11.9%, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave. Situata duket se reflekton rinisjen e aktivitetit ekonomik në vend, ndonëse përfaqësuese të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë kanë theksuar vazhdimisht se po shkurtojnë vendet e punës, si pasojë e goditjes nga COVID-19 dhe e pamundësisë për t’u rimëkëmbur.
Paralelisht me uljen e shkallës së papunësisë, INSTAT raporton përmirësim të situatës edhe në drejtim të punësimit. Sipas të dhënave shkalla e punësimit ka pësuar rritje në tremujorin e tretë të vitit, duke u regjistruar në 61.3%, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 2,8%. Ndërkaq, ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2019 në tremujorin e tretë të vitit 2020, është -1,2%.
Për të reduktuar shifrat e papunësisë që prodhoi pandemia COVID-19, qeveria vuri në dispozicion tre programe punësimi, 4, 8 dhe 12-mujore më qëllim reduktimin e kostove të biznesit dhe nxitjen e tyre për të marrë staf të ri. Kështu, qeveria mori përsipër subvencionimin e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore në masën 100 për qind për të gjithë periudhën e kohëzgjatjes, për të tre programet, ndërsa ofron edhe pagën minimale për dy programet e para.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.