Përmirësohet transparenca buxhetore – “Open Budget”, Shqipëria ngjitet në renditje, por me “rezerva”
Shqipëria është një prej vendeve që ka bërë përmirësimin më të madh në drejtim të transparencës së buxhetit, thotë raporti më i fundit “Open Budget”. Ky raport është më i rëndësishmi në llojin e tij dhe publikohet çdo dy vite.
Shqipëria renditet në vendin e 50-të në botë ndër 115 vende. Në këtë lloj indeksi, vendi i fundit i referohet performancës më të mirë, kështu që sa më poshtë të jetë një vend në renditje, aq më i mirë është rezultati.
Në raportin e kaluar, atë të 2015-ës, vendi ynë renditej i 38-i në botë ndër 102 vende. Edhe mes rreshtave theksohet se Shqipëria është një prej vendeve që ka bërë më shumë progres.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit ndërkohë, Shqipëria është në vend të dytë. Vetëm Serbia ka një performancë më të mirë.
Pavarësisht progresit të ndjeshëm, shumë gjëra duket se çalojnë ende në këtë drejtim. Indeksi bazohet në tre nën-indikatorë; transparencën, mbikëqyrjen dhe përfshirjen e publikut.
Shqipëria regjistron një performancë tepër zhgënjyese sa i përket përfshirjes së publikut në përpilimin e buxhetit të shtetit, me vetëm dy pikë. Sa i përket mbikëqyrjes ndërkohë, zhgënjen më shumë ajo nga legjislativi.
Qeveritë në vende të ndryshme të botës vazhdojnë të japin informacion të kufizuar mbi mënyrën e shpenzimit të parave, dhe për këtë arsye, ky lloj raporti, tenton të hedhë sadopak dritë mbi këtë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.