Përmirësohet tregtia kineze – E mbyll vitin 2019 në rritje. Pritet nënshkrimi i marrëveshjes tregtare
Eksportet kineze janë rritur për të parën herë në 5 muaj gjatë Dhjetorit, duke treguar për një rimëkëmbje të tregtisë përpara marrëveshjes mes Pekinit dhe Washingtonit. Dy ekonomitë më të mëdha në botë pritet të nënshkruajnë marrëveshjen tregtare të fazës së parë këtë javë, ç’ka do të zbusë tensionet, por nuk do t’i japë fund atyre.
Gjatë një viti të vështirë, tregtia kineze e mbylli 2019-n në optimizëm, me eksportet që treguan rritje prej 7.6% për Dhjetorin me bazë vjetore. Importet u rritën gjithashtu sipër projeksioneve, me 16.3% me bazë vjetore. Të dhënat treguan për një përmirësim të kërkesës botërore dhe kineze. Kina publikoi një sufiçit tregtar prej 46.8 miliardë dollarë në Dhjetor, sipër 37.9 miliardë që ishte një muaj më parë.
Për të gjithë 2019-ën, eksportet totale kanë absorbuar goditjen nga lufta tregtare, duke u rritur me 0.5%. Importet nga ana tjetër, ranë me 2.8%, prej ngadalësimit të ekonomisë kineze. Eksportet e Kinës drejt Shteteve të Bashkuara ranë me 12.5% në vitin 2019, ndërsa importet ranë me 20.9%. Pekini ka premtuar se do të blejë rreth 80 miliardë dollarë mallra amerikan të manifakturës në 2 vitet e ardhshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.