Përmirësohet treguesi i ndjesisë ekonomike – Industria dhe tregtia tejkalojnë krizën, konsumatori vijon të vuajë financiarisht
Treguesi i Ndjesisë Ekonomike(TNE), një publikim periodik i Bankës së Shqipërisë është përmirësuar ndjeshëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti, krahasuar me atë paraardhës, por duke vijuar të qëndrojë nën mesataren historike. Niveli i këtij treguesi shënoi vlerën 91.8 pikë, në rritje me rreth 10.3 pikë krahasuar me tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Sa i përket këtij treguesi sipas sektorëve, të gjithë regjistrohen në rritje, paçka se vetëm dy prej tyre qëndrojnë mbi mesataren historike; ai i besimit në sektorin e industrisë si dhe ai i besimit në sektorin e tregtisë.
“Treguesi i besimit në sektorin e industrisë(TBI) shënoi rritje të forte gjatë tremujorit të parë, me 9.5 pikë përqindje, duke u zhvendosur mbi mesataren historike për herë të parë, që pas goditjes negative të një viti më parë”-nënvizon mes rreshtave Banka e Shqipërisë. Edhe treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve, si dhe ai në sektorin e ndërtimit janë regjistruar në rritje në terma tremujorësh, por duke vijuar të qëndrojnë nën mesataren historike, çka sinjalizon se janë ende duke vuajtur pasojat e krizës së shkaktuar nga pandemia.
Sa i përket treguesit të besimit konsumator, rritja është më e ulët se në sektorët e tjerë, duke u rritur me vetëm 1.1% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, si dhe duke vijuar të qëndrojë nën mesataren historike. Disa prej komponentëve të këtij treguesi janë regjistruar në përkeqësim edhe krahasuar me tremujorin paraardhës, si ai i gjendjes aktuale financiare, ai i situatës financiare gjatë 12 muajve të kaluar, apo ai i pritshmërive për çmimet.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.