“Përplasja e titanëve” – Vendet e BE i ankohen Komisionit Evropian për shpërndarjen e vaksinave
Gjashtë anëtarë të Bashkimit Evropian kanë ngritur shqetësime rreth mënyrës se si blloku po shpërndan vaksinat Covid-19, pasi AstraZeneca preu edhe një herë objektivat e saj të shpërndarjes.
Austria, Letonia, Republika Çeke, Bullgaria, Kroacia dhe Sllovenia i shkruan Komisionit Evropian për t’u ankuar se vaksinat nuk po jepen në baza proporcionale midis 27 vendeve që përbëjnë Bashkimin Evropian.
“Nëse ky sistem do të vazhdonte, ai do të përkeqësonte pabarazi të mëdha midis vendeve anëtare deri në këtë verë,” shkruajnë krerët e shteteve në një letër të parë nga CNBC.
Fillimisht u ra dakord që vaksinat e blera nga BE të shpërndaheshin proporcionalisht me madhësinë e popullsisë së një vendi. Por disa vende futën fleksibilitet në sistem në mënyrë që të mund të zgjedhin më shumë një vaksinë specifike bazuar në çmimin dhe kushtet e mirëmbajtjes.
Komisioni Evropian iu përgjigj letrës duke thënë se shpërndarja është një “proces transparent” dhe se ishte vendimi i vendeve anëtare për të futur këtë fleksibilitet.
“Sipas këtij sistemi, nëse një shtet anëtar vendos të mos marrë shpërndarjen e tij proporcionale, dozat rishpërndahen midis shteteve të tjera anëtare të interesuara,” tha komisioni në një deklaratë.
Sipas raporteve të medias, Bullgaria, për shembull, vendosi të merrte më pak vaksina Pfizer dhe BioNTech, më e shtrenjta nga vaksinat dhe më shumë nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit. Si rezultat, vendet e tjera të BE ishin në gjendje të blinin vaksinat e tepërta Pfizer dhe BioNTech.
D.B – SCAN
Burimi: CNBC
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.