Përplasja në AMF, publikohet vendimi që u bë “mollë sherri”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar zyrtarisht vendimin që u bë shkak për përplasjen mes drejtoreshës ekzekutive dhe Bordit Drejtues e që kulmoi me propozimin për shkarkimin e Enkeleda Shehit.
Vendimi në fjalë rregullon marrëdhëniet e punës së punonjësve në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe debati mes palëve lidhet me të drejtën e emërimit të drejtorëve të drejtorive dhe departamenteve.
Në vendimin e miratuar nga Bordi dhe të publikuar së fundmi, e drejta për të emëruar në detyrë nëpunësit për pozicionet e mësipërme i njihet Bordit Drejtues.
Kjo ka qenë një kërkesë në rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në Dhjetor të vitit të kaluar. Por, ky vendim është kundërshtuar nga drejtoresha ekzekutive, Enkeleda Shehi. Ajo argumenton se ligji për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare përcakton shprehimisht që emërimi dhe shkarkimi i punonjësve të AMF-së bëhet nga drejtori ekzekutiv.
Sipas saj, rregullorja nuk mund të dalë mbi ligjin dhe zbatimi i direktivës së rezolutës së Kuvendit kërkon domosdoshmërisht ndryshimin e ligjit për AMF-në.
Edhe në seancën dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë zj.Shehi ishte shprehur se nuk do të lejonte publikimin e këtij vendimi në buletinin zyrtar, pasi, në gjykimin e saj dhe departamentit juridik të AMF-së ai binte në kundërshtim me ligjin, madje e kanë ankimuar atë në Gjykatën Administrative. Megjithatë, ndryshe nga sa ka deklaruar zj.Shehi, ky vendim është publikuar në faqen e AMF-së, çka për momentin i jep atij fuqi juridike.
Në mungesë të kuorumit të nevojshëm, Komisioni i Ekonomisë dështoi në fillim të javës të votonte lidhur me propozimin e Bordit Drejtues të AMF-së për shkarkimin e Enkeleda Shehit. Duket se deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk do ta mbështesin nismën për shkarkim dhe nuk është e qartë nëse mazhoranca do të insistojë në qëllimin për largimin e drejtoreshës ekzekutive.
Megjithatë, publikimi i vendimit që u bë shkaku kryesor për nisjen e procedurave të shkarkimit mund të jetë sinjal për arritjen e një kompromisi mes Bordit dhe drejtoreshës ekzekutive.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.