Përplasja për sigurimet, nuk ka “paqe” mes Konkurrencës dhe AMF

Përplasja mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Autoritetit të Konkurrencës nuk po zbutet. Ky i fundit ka refuzuar një kërkesë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për revokimin e rekomandimeve të dhëna në fund të muajit nëntor.
Në vendimin në fjalë, Autoriteti i Konkurrencës i kërkonte shprehimisht Kuvendit të Shqipërisë të detyronte AMF-në të rivendoste konkurrencën në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorrik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta.
Konkretisht, Autoriteti i Konkurrencës kërkonte zbatimin e menjëhershëm të sistemit bonus-malus dhe dëmshpërblimin e drejtpërdrejtë, nga siguruesi përkatës, për të gjitha që mbulohen nga sigurimi TPL.
AMF ju drejtua zyrtarisht Autoritetit të Konkurrencës me një kërkesë për ta revokuar vendimin, por qëndrimi i këtij të fundit ngelet i njëjtë, pavarësisht ndryshimeve në krye të tij.
Në fillim të këtij viti, lanë detyrën kryetarja e Komisionit të Konkurrencës, Lindita Milo dhe zëvendëskryetarja, Servete Gruda, për shkak të përfundimit të mandatit të tyre ligjor.
Kuvendi emëroi në krye të Autoritetit të konkurrencës juristen Juliana Latifi, por, megjithatë, qëndrimi në raport me problematikën e tregut të sigurimeve nga ky institucion nuk ka ndryshuar.
Ersuin Shehu/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.