Përplasje për bizneset e mbyllura – Ahmetaj dhe Basha replikojnë në distancë
“Këto janë regjistrat e bizneseve, janë krijuar të reja 14 mijë 929 biznese. Janë çregjistruar në normalitet ekonomik 5.572. neto janar shtator 9357 biznese të reja, dhe besoj se do të shkojë në neto të paktën 12 mijë”.
Një ditë pas deklaratës së bërë nga Ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj ka reaguar kreu i opozitës.
Me një videomesazh në rrjete sociale Lulzim Basha shprehet se është dyfishuar numri i bizneseve të mbyllura.
Sipas Bashës vetëm në shtator janë mbyllur 1978 biznese nga 838 që u mbyllën një vit më parë.
“1978 biznese u mbyllën në shtator. Dyfish më shumë se vjet! Me Ramën, krimi dhe oligarkët pasurohen, bizneset e ndershme falimentojnë”.
Sipas të dhënave që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikon çdo ditë në faqen zyrtare mbi bizneset që kanë kaluar në statusin pasiv, prej fillimit të vitit, deri në shtator, numri i bizneseve të pezulluara është 11,292, në krahasim me 6,969 biznese që janë pezulluar një vit më parë, me rritje prej 62% në krahasim me janar-shtator 2017.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.