Përplasje për borxhin dhe energjinë – Basha: U faturohet shqiptarëve. Rama: Qytetarët janë të mbrojtur
Opozita ka akuzuar qeverinë se e ka nxjerrë borxhin publik jashtë kontrollit, i cili reflektohet në varfërimin e mëtejshëm të qytetarëve shqiptarë dhe se nuk ka asnjë plan mbrojtës për ekonomitë familjare. Ndërsa kryeministri Rama është kundërpërgjigjur duke thënë se nëse borxhi do të ishte jashtë kontrollit, qeveria s’do të kishte shanse për të dalë në tregjet ndërkombëtare dhe për të kërkuar një hua të re.
Nga ana tjetër, Kreu i opozitës Lulzim Basha u ndal edhe tek kriza energjetike dhe borxhi prej 200 milionë eurosh, ku theksoi se edhe kjo shifër do ti faturohet bizneseve dhe qytetarëve. Ndërsa për Ramën, borxhi është garanci për të mbrojtur këtë shtresë.
Diskutimet mes palëve u bënë në seancën parlamentare, ku shumica rrëzoi dekretet e presidentit për disa ndryshime në menaxhimit të sistemit buxhetor. Me herët ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, sqaroi se ndryshimet janë të nevojshme për qëndrueshmërinë ekonomike dhe akomodimin e krizës energjetike, edhe pse sjellin rritje të nivelit të borxhit në 80 për qind dhe rritje të defiçitit fiskal.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.