Përplasje për rrugën Milot-Fier. PD, akuza për kosto të fryra. Balluku i kujton Rrugën e Kombit
Ndërtimi me koncesion i rrugës Milot- Fier të shpallur nga mazhoranca, ka krijuar debat mes PD dhe qeverisë. Sipas drejtorit të Kabinetit të PD, Dorian Teliti i cili zgjodhi të denonconte nga një segment i kësaj rrugë në rreth rrotullimin e Thumanës , kostot e saj janë të tejfryra duke marrë parasysh se mbi gjysma e rrugës është ekzistuese
“Kemi qenë ne ata që kemi ndërtuar rrugë dhe infrastrukturë, do të jemi përsëri ne që do ta bëjmë këtë gjë në të ardhmen. Por, çdo rrugë duhet të ndërtohet bazuar në koston reale. Nuk mund të ndërtohet rrugë me 20 milionë euro km linear, siç na prezanton kryeministri rrugën e re Milot-Fier”.
Ky pretendim është kundërshtuar menjëherë nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila nga foltorja e kuvendit ka shprehur edhe një herë vullnetin për t’i shkuar deri në fund këtij projekti.
“Jo, nuk ka rrugë 20 milionë. Mos doni që të përmend shifrat e Rrugës së Kombit, se sa ka kushtuar 1 km aty. 13 milionë euro ka kushtuar. Atë rrugë do ta ndërtojmë dhe atë do ta shijojë populli dhe ju që e kritikoni”.
Qeveria çeli në fillim të korrikut garën ndërkombëtare për projektimin, ndërtimin e operimin e segmentit Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian një investim prej rreth 1.2 miliardë euro.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.