Përsëri nën fokusin e mediave italiane – “Shqipëria në pushtim të turizmit europian”

Shqipëria është këtë vit për italianët dhe për të gjithë Europën perla e re e fshehur e turizmit në kontinent. Këtë e shkruan portali i dedikuar për turizmin dhe destinacionet “TGTourism.tv”, e cila zbulon më pas për të gjithë lexuesit e saj edhe disa nga plazhet më të bukura të vendit.
Deti shumë i bukur është padyshim një nga pikat më të forta të këtij shteti, edhe sot kaq pak të njohur. Mes brigjeve më të bukura këshillojmë:
Saranda – në jug të Shqipërisë, është një plazh i gjatë me zaj, e shtrirë në vijë ajrore përballë ishullit të Korfuzit. Deti i kristaltë dhe bregu është plot me restorante dhe bare me produkte tipike
Ksamili ndodhet pak kilometra larg Sarandës. Plazhi është përballë katër ishujve të vegjël, aq të afërt me njëri-tjetrin saqë mund t’i arrish me not, pra nëse keni qejf mund të bëni pak sport!
Midis ujërave transparente dhe rërës me ngjyrë të hapur, ka edhe disa bare dhe restorante ku mund të freskohesh dhe të hash diçka.
Dhërmiu, ndodhet në jug të Vlorë, qytet bregdetar mes më të vjetërve në Shqipëri, më saktësisht në pjesën e bregdetit mes Llogarasë dhe Sarandës. Dhërmiu ka një plazh të gjatë me rërë të artë, i pajisur mirë edhe me struktura që lënë me qera çadra dielli dhe shezllonë. Për më tepër, jeta përgjatë detit ofron një jetë nate interesante, pasi ka plot diskoteka dhe pub-e.
Karaburuni është një plazh që bën pjesë në Parkun Kombëtar të Sazan-Karaburunit, një rezervë që shtrihet për rreth 2 kilometra. Nëse deti i pastër, plot me shpella nënujore është perfekt për zhytësit, në brendësi të parkut do të gjeni rrënoja romake dhe mbetje të Luftës së Dytë Botërore.
Gjipeja, ëmbëlsira për në fund. Ky vend është vërtet spektakolar. Shkëmbinj të thepisur që zhyten në një plazh të artë, të lagur nga një det shumë i bukur. Gjipeja ndodhet mes Vunosë dhe Ilias, dy fshatrave të vegjël në jug dhe është shumë afër me plazhin e Dhërmiut.
Por jo vetëm plazh, Shqipëria ofron edhe disa pika me interes historik dhe arkeologjik. Duke nisur nga kryeqyteti Tirana, ku janë patjetër për t’u vizituar katedralja e Shën Palit, kulla e Sahatit, fortesa e Justinianit dhe kopshtet e mrekullueshme botanikë.
Në Durrës, qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë, nuk duhet humbur amfiteatri më i madh në vend. Qyteti i vjetër i Gjirokastrës gjithashtu është një pasuri e UNESCO-s. Zona të tjera arkeologjike interesante janë edhe Butrintit dhe Apolonia.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.