Përshkallëzimi i protestës kundër tarifës për Durrës-Kukës! Reagimet e kryeministrit, ish kryeministrit e kryetares së LSI-së
Protesta kundër vendosjes së tarifës për rrugën Durrës-Kukës ka përshkallëzuar në përplasje të protestuesve me forcat e policisë e me akte dhune. Pas dëmtimeve me mjete të forta, protestuesit i kanë vënë flakën pikës së mbledhjes së tarifës.
Ajo që po ndodh në Kukës ka sjellë reagime të shumta në Tiranë. Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke paralajmëruar përmes një statusi në rrjete sociale se reagimi do të marrë përgjigjen e ligjit.
“Dhuna barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagimi i dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës, do të marrin përgjigjen e merituar me të gjithë fuqinë e ligjit mbi këdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë! Ta harrojnë dhunuesit e frymëzuesit e tyre se i’a dalin dot mbi ligjin!” shkruan Rama.
Ndërkohë, ish kryeministri Sali Berisha ka postuar videon e përplasjes së protestuesve me forcat e rendit duke e konsideruar si të “turpshme dhunën policore ndaj protestuesve”.
“Populli i thotë JO ‘plaçkës Rama’! Protesta të fuqishme kundër ‘plaçkës Rama’ në Rrugën e Kombit, dhunë e turpshme policore ndaj protesuesve, shumë qytetarë të plagosur” shkruan ish kryeministri.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka reaguar gjithashtu duke dalë në mbështetje të protestuesve.
“Sot qytetarët e Kukësit dëshmuan qartas se fatet e një kombi nuk mund të jenë kurrsesi pjesë e lojërave perverse të një kryeministri të papërgjegjshëm. Ata që kanë humbur besimin te drejtimi i qeverisë, tek ekonomia që po shkatërrohet sepse Edi Rama do të kënaqë orekset e oligarkëve, sot janë shumica dhe me të fortë se kurrë. Revolta e tyre në Kukës është shenjë e qartë e fillimit të fundit për një qeveri që ka humbur besimin dhe mbështetjen, që po rrënon çdo ditë familjet shqiptare dhe që ndoshta sot mund të kuptojë që revolta ka qenë dhe mbetet fundi i çdo regjimi që sundon me dorën e krimit dhe korrupsionit” shkruan Kryemadhi.
Protestuesit deklarojnë se do të vijojë protestën e tyre, ndërkohë që është bllokuar edhe qarkullimi në këtë aks rrugor.
Lexo edhe: http://www.scan-tv.com/protesta-per-rrugen-e-kombit-qytetaret-bllokojne-levizjen-e-automjeteve/
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.