Përshpejtohet ekonomia britanike – Rritet mbi vlerësimet në T3, shton pritshmëritë për lëvizje nga BOE
Ekonomia e Britanisë ka marrë vrull në tremujorin e tretë, duke surprizuar investitorët dhe rritur pritshmëritë se Banka e Anglisë do të rrisë normën bazë të interesit muajin që vjen.
Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.4% me bazë tremujore, nga 0.3% që ishte në tremujorin e dytë, raporton zyra kombëtare e Statistikave. Industria e madhe e shërbimeve solli kontributin më të madh në tremujorin e tretë, megjithatë, edhe manifaktura pati rritje, nxitur nga prodhimi i makinave.
Britania performoi mirë pas referendumit për të dalë nga Bashkimi Europian, duke u kthyer në një nga ekonomitë e zhvilluara me rritjen më të shpejtë për 2016-ën. Megjithatë, kjo tendencë u përmbys në gjysmën e parë të këtij viti, ndërkohë që publikoi rritjen më të ngadaltë që prej vitit 2012.
Banka e Anglisë pritet gjerësisht nga publiku që të rrisë normën bazë të interesit në 0.5% nga 0.25% në takimin e 2 Nëntorit, për shkak të shqetësimeve se ekonomia nuk do të mund të rritet si më parë, pa gjeneruar një rritje të tepërt të inflacionit.
Norma për tremujorin e tretë do ti japë gjithashtu një mbështetje ministrit të financave Philip Hammond, përpara publikimit të buxhetit vjetor më 22 Nëntor. Rritja me bazë vjetore ishte e pandryshuar në 1.5%, megjithatë analistët e prisnin më poshtë.
Sektori dominues i shërbimeve në Britani u rrit me 0.4% në tremujorin e tretë, duke mbajtur vrullin e tremujorit të kaluar. Prodhimi industrial u zgjerua me 1%, me rritjen më të shpejtë në 1 vit.
Ndërtimi ka patur ngadalësim, me 0.7% me bazë tremujore, që është rënia më e madhe që prej 2012-ës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.