Përshpejtohet ekonomia e SHBA – Rritet me 2.8% në T2, Trump mirëpret të dhënat

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara u përshpejtua në tremujorin e dytë, ndërkohë që konsumatorët kanë rritur shpenzimet ndërsa bizneset kanë shtuar investimet. Megjithatë, rritja e ngadaltë e pagave ka sjellë një pengesë për ekonominë më të madhe në botë.
Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me një normë vjetore me 2.6% për tremujorin e dytë, deklaron Departamenti i Tregtisë. Kjo ishte më shumë se dyfishi i normës së tremujorit të parë prej 1.2%.
Rritja e pagave u ngadalësua pavarësisht normës së papunësisë në një nivel të ulët rekord prej 4.4% në tremujorin e dytë.
Inflacioni është dobësuar gjithashtu, duke zbehur rastin e ndërhyrjes nga Rezerva Federale përsëri këtë vit.
Dollari ra pas publikimit të të dhënave kundrejt shportës së valutave kryesore, ndërsa titujt e kapitalit u mbyllën kryesisht në rënie.
Në gjysmën e parë, ekonomia e SHBA u rrit me 1.9%, duke ulur mundësitë e një rritjeje të Produktit të Brendshëm Bruto me 2.5% për vitin e plotë.
Ndërkohë, Donald Trump ka caktuar një objektiv më ambicioz në 3% për 2017-ën. Trump i mirëpriti të dhënat mbi rritjen ekonomike duke thënë se është rezultat i heqjes së disa rregulloreve për bizneset dhe mbi mjedisin.
Megjithatë, analistët janë skeptikë mbi premtimet e presidentit republikan për të kaluar reformat tatimore, duke parë dështimin e ditës së Premte për të zëvendësuar Obamacare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.