Përshpejtohet ekonomia kineze – Çmimet e prodhimit rriten përtej pritshmërive
Inflacioni i çmimeve të prodhimit në Kinë është rritur për të dytin muaj me radhë gjatë majit, tregojnë të dhënat e fundit nga ekonomia e dytë më e madhe në botë. Këto të dhëna sinjalizojnë kështu se, ekonomia kineze ka rifituar vrullin pavarësisht paqartësive që burojnë nga përplasja tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sa i përket çmimeve të konsumit ndërkohë, nuk ka asnjë ndryshim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por rritja e çmimeve të prodhimit sinjalizon një rritje të çmimeve të konsumit gjatë muajve në vijim. Me shumë gjasa, kjo gjë do të reflektohet që në shifrën e Qershorit. Indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit kështu me 4.1% gjatë Majit në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, krahasuar me një rritje prej 3.4% gjatë prillit.
Në terma mujorë ndërkohë, rritja fiksohet në 0.4%, krahasuar me 0.2% rënie gjatë muajit paraardhës. Të dhënat rezultojnë gjithashtu mbi pritshmëritë. Materialet e bakrit kanë pësuar rritjen më të madhe, me 7.4%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.