Përshpejtohet inflacioni në Britani – Arrin 2.9% në Gusht prej rritjes së çmimeve të veshjeve

Inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar u rrit sipër projeksioneve në muajin Gusht, duke i’u afruar përsëri 3%-shit, prej rritjes më të madhe të çmimeve të veshjeve në thuajse 3 dekada.
Rritja e normës në 2.9% nga 2.6% që ishte në Korrik, vjen me rënien e fundit të paundit, që ka rritur kostot e importeve që kur britanikët vendosën të dalin nga Bashkimi Europian në 2016-ën.
Inflacioni bazë u përshpejtua gjithashtu, duke arritur nivelin më të lartë që prej vitit 2011. Të dhënat, që vështirësojnë gjendjen e ekonomive familjare, do të shkaktojnë gjithashtu presione të reja te Banka e Anglisë, ku politikëbërësit po shohin një nivel të çmimeve sipër objektivit prej 2%.
Komisioni i Politikave Monetare prej 9 anëtarësh është ndarë në muajt e fundit, me 2 anëtarë që kërkojnë një rritje të normës bazë të interesit. Inflacioni u përshpejtua në Gusht, nxitur nga veshjet dhe këpucët, që patën rritje me 2.4% për muajin dhe 4.6% me bazë vjetore.
Zyra e Statistikave deklaroi se sterlina e dobët mund të fajësohet pjesërisht, pasi ka rënë me rreth 11% që prej votimit të Qershorit 2016. Pas publikimit të të dhënave për çmimin, paundi u rrit ndjeshëm në 1.3254 dollarë.
Të dhëna të tjera treguan se kostot e inputit për kompanitë u rritën me 1.6% në Gusht, norma më e lartë për këtë vit, ndërsa çmimet e outputit u rritën me 0.4%. Kjo rritje e çmimeve këtë vit po tkurr të ardhurat e konsumatorëve, ndërkohë që rritja e çmimeve po kalon rritjen e pagave.
Më vonë gjatë javës pritet të publikohet rritja e pagave, që mund të jetë përshpejtuar për të tretin muaj radhazi në Korrik, megjithatë në mbi 2%, që do të thotë se punëtorët po humbasin në terma realë.
Banka e Anglisë do të lajmëroi vendimin e radhës të politikave monetare ditën e Enjte, ndërkohë që shumica pritet të votojnë për të mos ndryshuar normën bazë të interesit.
Ekonomia e Britanisë u rrit me vetëm 0.3% në tremujorin e dytë, duke rezultuar në normën më të ngadaltë në vendet e G7-ës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.